Publikim i ri: Gratë dhe Politikat e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare
Me kënaqësi njoftojmë publikimin më të ri të Institute for Women in National and International Security Policy (IWNISP), një iniciativë e organizuar nga Center for Research and Local Development Studies (CRLDS) dhe e zhvilluar në dy edicione: 2019 dhe 2021.
IWNISP u frymëzua nga pjesëmarrja e Dr. Edlira Titini në programin Study of the U.S. Institutes (SUSI) të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Politikëbërjen e Sigurisë Kombëtare dhe u realizua me mbështetjen financiare të Public Affairs Office të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Projekti u drejtua nga Dr. Edlira Titini.
Ky publikim përmbledh punime shkencore të përgatitura nga pjesëmarrëset e Institutit, doktorante dhe lektore të IWNISP, duke reflektuar qasjen ndërdisiplinore dhe perspektivën gjinore në analizën e çështjeve të sigurisë.
Çështjet e sigurisë janë tradicionalisht konsideruar si një fushë e dominuar nga burrat. Ky vëllim synon të sfidojë këtë perceptim dhe të theksojë se gratë kanë kapacitetin, aftësinë dhe vendosmërinë për të kontribuar në mënyrë të barabartë dhe thelbësore në politikat e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Artikujt e përfshirë në këtë publikim trajtojnë një gamë të gjerë temash, përfshirë:
- emigracionin dhe sigurinë,
- lidhjen midis Responsibility to Protect dhe avancimit të barazisë gjinore,
- agjendën “Women, Peace and Security”,
- bashkëpunimin NATO–BE për Gratë, Paqen dhe Sigurinë,
- shqetësimet rajonale të sigurisë së Kosovës në kontekstin e integrimit euroatlantik,
- rritjen e ekstremit të djathtë në Evropë dhe pasojat për demokracitë liberale,
- diplomacinë kulturore shqiptaro-ruse,
- politikat lokale të sigurisë,
- korrupsioni dhe politikat e sigurisë: si korrupsioni minon sigurinë.
Përmes këtij publikimi dhe aktiviteteve të zhvilluara gjatë dy edicioneve të IWNISP, CRLDS synon:
- të motivojë vajzat dhe gratë të ndjekin dhe avancojnë njohuritë në fushën e sigurisë,
- të kontribuojë në konsolidimin e një komuniteti ekspertësh mbi çështjet e sigurisë,
- të inkurajojë angazhimin e grave në hapësirën publike dhe akademike,
- dhe të ndikojë në ndryshimin e praktikës së konsultimit pothuajse ekskluziv të ekspertëve meshkuj në media dhe debatet publike.
Ky publikim synon të jetë një burim i vlefshëm jo vetëm për studentë dhe studiues, por edhe për një audiencë më të gjerë të interesuar në çështjet e sigurisë.
Publikimi është i disponueshëm në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si dhe në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në përfundim, shprehim falënderimet tona të përzemërta për të gjitha pjesëmarrëset, doktorantet dhe lektoret, si dhe për të gjithë kontribuesit dhe partnerët që bënë të mundur realizimin e këtij projekti ambicioz.



