Error message

Warning: "continue" targeting switch is equivalent to "break". Did you mean to use "continue 2"? në include_once() (rreshti 1387 i /home/crlds/public_html/includes/bootstrap.inc).

Konferenca e I-re: "Tako Talentet Shqiptare – Meet AlbTalents"

Vlore me 28 - 29 Mars 2014

“Talenti është pasioni për të mbërritur ëndrrën, që bën të lumtur njeriun dhe më të pranishëm progresin… ndaj të vrapojmë pa u rrëzuar dhe të ecim pa u ndalur me kokën lart dhe me mendjen në krye.”

“Kush do gjen, kush do bën, kush do mbërrin”. Të frymëzuar nga ky slogan Qendra e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal në bashkëpunim me Universitetin Ismail Qemali, të Vlorës, me Agjencinë Rajonale të Zhvillimit Vlorë, “Albanian Guide”, si dhe autoritetet lokale dhe qendrore prezente në Qarkun e Vlorës, si dhe aktorë të tjerë zhvilloi në datat 28-29 Mars në qytetin e Vlorës, Konferencën e I-rë: “Tako Talentet Shqiptare – Meet AlbTalents”.

Kjo Konferencë e para në llojin e saj, është pjesë e projektit tonë me të njëjtin emër: “Tako Talentet Shqiptare – Meet AlbTalents”.

Rrjedhja e trurit (Brain Drain), fenomen prej të cilit Shqipëria, si një vend në tranzicion me një ekonomi të dobët dhe nivel papunësie të lartë, nuk mund të shpëtonte pa u prekur, në vështrimin tonë, është një temë urgjente e cila duhet të marrë gjithnjë e më shumë terren në diskutimet e debatet tona publike dhe institucionale, e kuptuar si humbje nga ana e vendit tonë e një pjese të kapitalit njerëzor me kualifikim të lartë si dhe si mungesë e aftësisë së vendit për të stimuluar qarkullimin e trurit (brain circulation), pra qarkullimin e trurit nga dhe për në Shqipëri, me përfitime të jashtëzakonshme për vendin, duke ekzaminuar mjetet, të cilat do të lejonin kalimin nga njëra fazë tek tjetra. Pikërisht me një mision të tille kjo konferencë, mbështetur mbi bazamentin e përpjekjeve të mëparshme të vendit, institucioneve dhe shoqërisë sonë, inicioi këtë ridiskutim dhe risjellje të tij në plan të parë të preokupimeve tona, duke bashkuar aktorët e ndryshëm, të cilët ndajnë të njëjtin interes për këtë temë. Fakti që Shqipëria, sipas studimit të fundit te kryer nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik me bazë në Paris, (OECD). rezulton, ndër vendet më të goditura në Evropë përsa i takon fenomenit “të ikjes së trurit me 26,7%, e përforcon emergjencën e këtij diskutimi.

Objektivi i kësaj konference, ndryshe nga iniciativat e deritanishme, ishte mundësimi i një dialogu direkt midis: studentëve, studiuesve, akademikëve, artistëve apo profesionistëve të lirë dhe institucioneve të qeverisjes lokale e qendrore, ekzekutive dhe legjislative, për të diskutuar mundësitë e ndryshimeve ligjore apo praktikave administrative me qëllim që të plotësohet ëndrra e kujt do të kthehet, por për arsye objektive s’mund ta bëj dot këtë, ëndrra e kujt dëshiron të ndihmoj prej aty ku jeton, qytetin, qarkun apo vendin e origjinës.

Pjesëtar të paneleve të diskutimit për dy ditë me radhë ishin aktorë të rëndësishëm të botës akademike dhe shkencore, aktualisht jashtë vendit, si Prof. Laura Mersini Hounghton, Dr. Detina Zalli, apo edhe të kthyer rishtas në Shqipëri si Prof. As. Mirela Bogdani, Dr. Sokol Bana, Dr. Elvis Mocka, Dr. Ermal Xhelilaj. Akademikë të cilët kanë kaluar më parë eksperienca të tilla, Prof. Albert Qarri, Prof Kosta Barjaba, Prof. Shezai Rrokaj, Prof. As. Mira Shehu, profesionistë nga bota e sipërmarrjes apo medias në emigracion si Vjollca Staro, Eva Habili (gazetare, Gjermani), Gerta Malaj (IBM, USA), emigrantë të cilët e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre: kthimin në atdhe, si Vangjel Maskaj (Albania Guide), (BE), Idlir Sinani, Eduart Kola, Desdemona Stefa, duke na prezantuar avantazhet, disavantazhet dhe vështirësitë, që kanë hasur në këtë ndërmarrje të tyre. Panelistë ishin gjithashtu persona të suksesshëm me shkollim tërësisht shqiptar të cilët kanë bërë karrierë të suksesshme në strukturat ndërkombëtare si Prof. as. Valbona Karacia, përfaqësues të komuniteti të biznesit si Florenca Nani apo Besnik Pepi, përfaqësues të shoqatave homologe si Rrjeti As@n, Blerina Babaliu apo profesionistët e rinj, përfaqësues të institucioneve rajonale si Ines Stasa apo Mariana Cani. Rol të rëndësishwm kishin diskutimi dhe prezantimi i përvojave nga ana e ekspertit dhe studiuesit të emigracionit me banim në Zvicër, z. Luan Bytyqi, shefes së zyrës së Ri-integrimit në Ministrinë e Brendshme të Republikës së Kosovës, znj. Violeta Berisha, Drejtore e Burimeve Njerëzore në këtë ministri Znj. Vjollca Bruqi, Znj. Bygit Bude, eksperte gjermane për çështjet e riintegrimit, etj. Po ashtu prezent ishin edhe studentë të universiteteve shqiptare dhe të huaja të niveleve të dyta apo të treta, nxënës në prag të zgjedhjes së studimeve, etj.

Një kontribut të rëndësishëm për mbarëvajtjen e këtij diskutimi dhanë me punimet e tyre Prof. Zamira Çavo, Dr. Përparim Kabo, znj. Edlira Çepani, Sindi Halili e dhjetra të tjerë nëpërmjet komenteve apo letrave të tyre. Diskutimet në këto panele, direkt apo edhe me video-mesazhe, ishin konceptuar si vazhdim i diskutimit, të nisur on-line prej dt 02.12.2013. Në këtë diskutim on-line janë përfshirë 110 akademikë, profesionistë të lirë, studiues dhe studentë me një gjeografi pothuajse globale. Ata kanë dhënë mendime të vyera dhe shumë racionale rreth temës në diskutim, duke ofruar edhe vizionin e tyre për potencimin e lobimit rreth këtij problemi. Këtyre duhet t’u shtojmë edhe nxënës, studentw dhe sipërmarrës apo profesionistë të kthyer rishtas, të intervistuar nga stafi ynë në qytetet e Vlorës dhe Tiranës. Diskutimet e tyre në panele, video-mesazhet, intervistat apo rezultatet e nxjerra nga intervistat on-line do i shpalosim gradualisht për ju lexues të faqes, ditë pas dite.

Duke vlerësuar kontributin e profesionistëve të kualifikuar në konsolidimin e demokracisë dhe ndërtimin e një shoqërie moderne, kjo konferencë hodhi dritë mbi disa aspekte të ri-integrimit të tyre në Shqipëri. Së pari nga personat me të cilët e ndamë këtë ide dhe mandej nga rrjeti në zgjerim nëpërmjet komunikimit on-line. Rrjeti ynë është në zgjerim. Në pak muaj, atij i janë afruar qindra bashkëpunëtorë dhe po evoluon natyrshëm drejt një grupi social, që konsiston në transformimin e propozimeve dhe ideve në veprime konkrete çdo ditë e më tepër. Tek qendra aftësitë e ndryshme në këtë proces, janë prezent dhe u pasqyruan dukshëm në këtë konferencë.

Konferenca përtej propozimit të një analize të thelluar të shkaqeve të fenomenit “brain drain”, si dhe mungesës së “brain circulation” ekzaminon instrumentet, të cilët mund të favorizojnë kalimin nga fenomeni i parë tek i dyti. Konferenca individualizoi raste të ekselencës shqiptare si dhe ofroi propozime konkrete për të filluar t’i jepet zgjidhje këtij problemi shumëvjeçar, i cili ka pasoja të ndjeshme mbi zhvillimin aktual dhe perspektivës së vendit tonë.

Pra kush është sfida jonë për të ardhmen?

Sfida që duhet të përballojmë është e dyfishtë: nga njëra anë shtimi preokupant i kapitalit njerëzor me kualifikime të larta, që dalin nga vendi ynë, pra jashtë sistemit të vendit, për në shtete të tjera. Këtu peshë të madhe zënë kualitete të larta shkencore apo personat me aftësi të larta në teknologji, largimi i të cilëve është me pasoja të dëmshme për konkurrueshmërinë e vendit tonë. Nga ana tjetër shterimi i kapaciteteve të vendit për të tërhequr kapitale të kualifikimit të lartë nga jashtë vendit, përfshi edhe ata me origjinë shqiptarë. Pra humbja e talenteve shqiptare, e kombinuar me paaftësinë për të thithur tru të huaj, e penalizon rëndë vendin tonë në kontekstin e një bote të globalizuar ku konkurrenca zhvillohet gjithnjë e më shumë mbi bazën e Dijes dhe Inovacionit.

Ndaj një sfidë e përbashkët e shtetit dhe shoqërisë shqiptare mbetet kthimi i profesionistëve në vend si edhe ri-integrimi efektiv i tyre në mjedisin social, ekonomik dhe politik. Kjo nënkupton procesin e përshtatjes në vendin e origjinës me qëllim që njohuritë dhe eksperienca e akumuluar jashtë vendit t’i shërbejnë jo vetëm progresit individual por njëkohësisht edhe progresit të vendit dhe shoqërisë sonë. Në këtë mënyrë, ne do të përmirësojmë të kuptuarit e fenomenit dhe do të përshkruajmë aktivitetet dhe veprimet, që duhen ndërmarrë për të mbështetur zbatimin e politikave të reja rajonale dhe kombëtare që mbështesin në njërën anë kthimin e të rinjve në vendin tonë dhe nga ana tjetër dekurajojnë braktisjen e tij nëpërmjet një procesi inovacioni dhe zhvillimi të territorit, që mund t’i bëjë protagonistë të rinjtë tanë më të mirë.

Politikat e ndërmarra deri më sot nga qeveritë shqiptare, përfshi edhe ato të biznesit shqiptar, për të thithur këto kapacitete rezultojnë të papërshtatshme. Përpjekjet për ta nxitur këtë proces kanë pasur një profil të ulët dhe kanë qenë jo të mirë koordinuara.

Në kushtet aktuale është e domosdoshme një ndërhyrje energjike politike për të administruar këto flukse si dhe një qasje multidisiplinare ndaj fenomenit. Ndërmarrja e hapave të tillë në masë të gjerë dhe të mirë-koordinuar, duke shfrytëzuar përvojat e vendeve të përparuara mbetet objektiv permanent për ne. Këtë gjë e synuam që gjatë kësaj konference të parë. Por ndërsa u arrit një profil i lartë përfaqësimi nga bota akademike, aktorët e tjerë lanë për të dëshiruar. Ne synojmë ta realizojmë këtë përfshirje në proces edhe nga nivelet e tjera: të legjislativit dhe ekzekutivit, përfshi edhe botën e sipërmarrjes. Ne nuk reshtim sw këmbënguluri deri sa ata që duhet të dëgjojnë dhe të ndërmarrin hapat e duhur ta bëjnë një gjë të tillë. Ne synojmë të angazhojmë një ndërhyrje të profilit të lartë dhe do ta realizojmë atë me këmbëngulje, me punë, me argument, me bindje. Për këtë qëllim atë që ishte llogaritur ta kishim si panel të fundit të kësaj konference do ta realizojmë nëpërmjet zhvillimit të një workshop-i të përbashkët në Tiranë, me përfaqësues të lartë të legjislativit dhe ekzekutivit, duke përmbyllur në këtë mënyrë fazën e parë të këtij projekti. Në përfundim të tij, ne do të dorëzojmë edhe rekomandimet e dala nga kjo konferencë, të cilat u prezantuan nga grupet e punës në ditën e dytë të konferencës. Këto rekomandime janë ripërpunuar në një dokument të vetëm nga ana e stafit të qendrës.

Në këtë mënyrë ne synojmë, që së bashku me ju, të nxisim inicimin e hapave konkretë dhe efektivë në këtë fushë. Diskutimi ynë vazhdon në kohë, duke tejkaluar muret e konferencës, sepse ai është një diskutim konkret, i cili na takon dhe na përfshinë të gjithëve.

Në konkluzion për të ndryshuar kurs dhe për të mbjellë farën e një ndryshimi sistemik nga “brain drain” në “brain circulation” janë të nevojshëm vullneti dhe investimi i institucioneve, shoqërisë civile dhe operatorëve ekonomik. Ne do të ofrojmë propozimet tona për këtë ndryshim kursi. Ne, të gjithë së bashku, do të japim një provë se gjithçka është e realizueshme sepse në bazë ka sensin e domosdoshmërisë, motivimin dhe vullnetin për të kontribuar pasionalisht në administrimin e një ndryshimi pozitiv. Kjo konferencë është vetëm hapi i parë i domosdoshëm drejt një ndryshimi kulturor për të cilin duhet të bëjmë shumë.

Le të bashkërendojmë rolet dhe të ndajmë së bashku përgjegjësitë!

Luiza Hoxhaj
Drejtore ekzekutive 

 

Promotor: Qendra e Studimitte Politikave Europiane per Zhvillimin Rajonal dhe Lokal

Partner: Universiteti i Vlores Ismail Qemali , Keshilli I Qarkut Vlore, Dhoma e Tregetise Vlore, Agjensia e Zhvillimit Rajonal Vlore.

Sponsor Kryesor: Kompania e Sigurimeve Sigma, Viena Insurance Group, Western Union dhe Banka Credins.

Partner Mediatik: TV 6+1 Vlora, Tv News 24, Tv AS, Revista Monitor.