Error message

Warning: "continue" targeting switch is equivalent to "break". Did you mean to use "continue 2"? në include_once() (rreshti 1387 i /home/crlds/public_html/includes/bootstrap.inc).

Ekselenca është vlonjatja Laura Mersini

Nga Kosta Barjaba (31/03/2014)
Po bëhen disa vite që mbështetja e studentëve dhe specialistëve ekselentë duket sikur është në axhendën e qeverisjeve në Shqipëri. Por, për fat të keq, asnjëherë, të paktën deri tani, nuk është shkuar më tej sesa retorika jo ekselente për ekselencën. Ky ka qenë gjithmonë një vlerësim i imi. Por takimi me Laura Mersinin, njërën prej yjeve të ekselencës shqiptare, një fizikante kozmologe e rrallë, profesore në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapell Hill, më bindi se koncepti ynë për ekselencën është i vjetruar, i politizuar, nepotik dhe, ç’është më e keqja, korruptiv.

1. Para se të shtjelloj më gjerësisht bindjen time dhe këto epitete për trajtimin e ekselentëve të vërtetë të Shqipërisë, po i prezantoj lexuesit në pak fjalë, shkencëtaren Laura Mersini Houghton. E njoha nga afër Laurën, pasi kisha dëgjuar më parë për të vlerësime nga më të pabesueshmet. Por që rezultuan të gjitha të  vërteta. E ftuar për të folur në një takim të organizuar në Vlorë mbi të talentuarit jashtë vendit, Laura iu përgjigj kësaj ftese me modesti dhe një përkushtim të lartë. E lauruar në Fizikë në Universitetin e Tiranës, në kapërcyell të ndryshimeve politike në Shqipëri, shpejt e kuptoi se institucionet e vendit të vet kishin shumë pak t’i ofronin. Prandaj shumë shpejt e gjeti veten në disa universitete prestigjioze amerikane dhe europiane. Më vonë, në vitin 2008, u thirr për të punuar në UC Chapell Hill. Studimet e saj teorike janë fokusuar në zbulimin e origjinës së Universit nga mulitverset. Suksesi i Laurës është se ndërsa parashikimet e mjaft pararendësve të saj janë dashur të kalojnë 50-60 vjet për t’u verifikuar ose hedhur poshtë, katër nga pesë parashikimet e saj, të publikuara më 2006, janë vërtetuar nga observimet e satelitëve gjatë viteve 2007-2013. Po të mos ishte gruaja e urtë dhe me pasion Luiza Hoxha, organizuesja e takimit në Vlorë, ndoshta ne do të dinim më pak për Laurën, këtë përjashtim nga raca jonë. Megjithatë, Laura erdhi në Shqipëri, u çmall me qytetin dhe gjyshen e saj në Vlorë, dhe menjëherë  fluturoi drejt Irlandës, për një eksperiment të bazuar në studimet  e saj. Ka të ngjarë që askush, përveç pjesëmarrësve të atij takimi, të mos ketë marrë vesh për vizitën e saj. Për të mos thënë që shumë pak shqiptarë e njohin veprën e saj shkencore. As gazetat, as televizionet nuk shkruajtën. Ekranet  dhe faqet e gazetave, por edhe ato dhe ata që duhej ta njohin dhe shfrytëzojnë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, këtë aset të çmuar të kombit, janë të zënë me çështje të tjera. Aferim u qoftë! Laura vazhdon punën e saj dhe kurorëzohet nga kombet e tjera.

2. Heshtja ndaj Laura Mersinit më riktheu në rezervat e mia ndaj vizionit që ne kemi, të paktën kemi shprehur formalisht, për ekselencën. Vjetërimi dhe paplotëria e këtij koncepti dallon që larg. Ne mrekullohemi nga ekselenca që na argëton dhe mbush ekranet, por jemi të pandjeshëm ndaj ekselencës së pazëshme, që i jep produktet e veta në katedra dhe laboratorë të shkencave natyrore dhe teknologjisë. Me kutin tonë të ekselencës ne jemi bujarë ndaj cilitdo të zakonshmi, mjaft që studion diku në Europë ose në Amerikë, por nuk dimë apo nuk duam të bëjmë, ngaqë nuk na intereson, dallimin midis të zakonshmëve dhe të jashtëzakonshmëve. Ne pranojmë ekselencën vetëm nëse kalon nga dera e partive dhe e qeverive dhe jo nga lufta e egër dhe konkurrenca e frikshme në botën e shkencës dhe të dijes. Më tej akoma, ne druhemi të pranojmë ekselencën e vërtetë sepse nuk jemi të lirë nga radha e mediokërve, me të cilët kemi lidhje të ndryshme. Prandaj ne e kemi të vështirë ta pranojmë ekselencën nëse nuk na referohet dhe nuk bashkëjeton me të qenit i afërm, i pushtetshëm apo i pasur dhe sponsor i fushatave zgjedhore. Se jemi të tillë, prandaj edhe programet qeveritare të mbështetjes së ekselencës ose i vëmë në shërbim të kritereve të mësipërme, ose, mos o Zot, ndodh që i shesim, siç shesim një leje ndërtimi!

3. Dhe së fundi, kam një propozim për Akademinë tonë të Shkencave. Mos prisni që Laura Mersini të vijë të konkurrojë. Ftojeni atë të bëhet anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, para se ta vlerësojë juria e çmimit Nobel.